Një biznes në Pogradec ka rënë sërish pre e grabitjes gjatë orëve të natës, ndërsa pronari thotë se dëmi ekonomik kalon vlerën e 2 milionë lekëve.
Bëhet fjalë për një dyqan bulmeti në lagjen nr. 3 të qytetit, ku autorët kanë hyrë me forcë pasi kanë thyer derën e biznesit dhe më pas kanë marrë të gjithë mallin që ndodhej brenda.
Vjedhja është konstatuar mëngjesin e sotëm rreth orës 07:30 nga vetë pronari, i cili është përballur me biznesin e boshatisur.
Sipas tij, kjo është hera e dytë brenda pesë muajsh që dyqani grabitet, ndërsa autorët e të dyja ngjarjeve ende nuk janë identifikuar nga policia.
“Jemi të shqetësuar dhe të frikësuar për punën tonë. Nuk punohet në këtë formë, të vidhet dy herë një biznes në qendër të qytetit dhe të mos kapet askush. Duam që policia ta zbardhë ngjarjen sa më shpejt. Nuk jemi aspak të qetë dhe nuk e di nëse do ta vazhdoj më këtë punë; është hera e dytë brenda 5 muajsh”, është shprehur pronari i biznesit.
Pas denoncimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimin për sigurinë e bizneseve në Pogradec, ndërsa pronarët kërkojnë masa më të forta dhe zbardhjen e shpejtë të rasteve të grabitjeve të përsëritura.














