Partia e Lirisë i është përgjigjur ftesës së Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për konsultim lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, duke bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takim.

Në përgjigjen drejtuar kreut të shtetit, Partia e Lirisë e cilëson të papërshtatshëm një konsultim formal në një kohë kur, sipas saj, protesta dhe kërkesat e studentëve e gjimnazistëve janë çështja kryesore në vend.

Reklame

Në letër, partia ngre akuza për dhunë shtetërore ndaj protestuesve, duke përmendur gjakosjen, arrestimet dhe ndalimet që i cilëson arbitrare dhe të paligjshme.

Partia e Lirisë shprehet se Presidenti duhet të ndërmarrë qëndrime dhe veprime konkrete në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe lirive themelore të qytetarëve. Ajo pretendon gjithashtu se institucioni i Presidentit nuk e ka përmbushur rolin e tij kushtetues përballë zhvillimeve gjatë protestave.

Në përfundim, Partia e Lirisë kërkon që Begaj të përmbushë detyrimin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa e kthyer këtë proces në një procedurë që, sipas saj, mund të përdoret për qëllime propagandistike nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama.

Me këtë përgjigje, Partia e Lirisë bëhet pjesë e qëndrimit kundërshtues ndaj konsultimit të thirrur nga Presidenti, duke refuzuar pjesëmarrjen në takimin për zgjedhjet vendore.

Letra per Presidentin Begaj

Lexo edhe

Begaj thirri partitë për datën e zgjedhjeve, Bardhi: Ftesa nuk meriton as koment

Zgjedhjet vendore 2027/ Begaj nis konsultimet me partitë, më 6 nëntor afati i fundit për dekretin

Reklame