Prej datës 6 korrik kanë nisur regjistrimet për nxënësit që do të fillojnë klasën e parë dhe klasën e dhjetë në vitin e ri shkollor 2026–2027. Procesi zhvillohet online përmes portalit e-Albania dhe do të qëndrojë i hapur deri më 31 korrik.
Përmes një videomesazhi, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u bëri thirrje prindërve të ndjekin me kujdes udhëzimet dhe të respektojnë afatet e regjistrimit.“Sot është data 6 korrik dhe ka filluar regjistrimi i fëmijëve për vitin shkollor 2026–2027. Afati është nga 6 korriku deri më 31 korrik. Të gjithë prindërit duhet të fillojnë procesin e regjistrimit në e-Albania”, tha Kumbaro.
Regjistrimi sipas vendbanimit
Ministrja theksoi se për nxënësit që regjistrohen për herë të parë në klasën e parë, si dhe për ata që kalojnë nga arsimi 9-vjeçar në gjimnaz, është e rëndësishme të respektohen kriteret për regjistrimin në shkollat që mbulojnë zonën e vendbanimit.
Sipas saj, ky proces ndihmon institucionet arsimore dhe bashkitë të planifikojnë klasat, mësuesit dhe organizimin e vitit të ri shkollor.
Afatet për regjistrimet
Sipas Ministrisë së Arsimit:
- 6 korrik – 31 korrik: Regjistrimet për klasën e parë dhe klasën e dhjetë në gjimnaz ose shkollë të mesme të orientuar.
- Deri më 11 shtator: Regjistrimet për gjimnazet me kohë të pjesshme.
- Deri më 30 shtator: Regjistrimet në shkollat e mesme profesionale përmes portalit e-Albania.
Autoritetet u bëjnë apel prindërve që të mos e lënë aplikimin për ditët e fundit, në mënyrë që procesi të zhvillohet pa vonesa dhe të lehtësohet planifikimi i vitit të ri shkollor.
Shkolla e premtuar prej 4 vitesh në Mizë kthehet në rrënojë/ Korreshi publikon pamjet














