Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si përgjegjësin kryesor për çmimin e lartë të naftës në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se çmimi i karburantit në vend është “stratosferik” dhe po rëndon drejtpërdrejt mbi jetën e qytetarëve, duke ndikuar në rritjen e kostos së jetesës dhe largimin e shqiptarëve nga vendi.

Reklame

Sipas tij, një ndër arsyet kryesore është ngarkesa e lartë fiskale mbi naftën, e cila sipas Berishës arrin në 60-65% të çmimit për litër, shumë më e lartë se në vendet e zhvilluara, ku kjo barrë varion nga 40-45%.

Një tjetër faktor që ai ngriti është kontrabanda e karburantit. Berisha pretendoi se qindra mijëra ton naftë hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme, duke shkaktuar humbje të mëdha financiare për shtetin dhe duke ndikuar në deformimin e tregut.

Po ashtu, ai kritikoi edhe mënyrën e menaxhimit të rezervave të naftës, duke theksuar se kostot e magazinimit nga kompani private u faturohen qytetarëve, ndërkohë që sipas tij kjo barrë duhet të përballohet nga shteti.

Në përfundim, Berisha theksoi se, sipas tij, përgjegjësia për situatën aktuale të çmimeve të karburantit bie mbi qeverinë dhe politikat e saj.

Reklame