Një shtetas shqiptar ka rënë në prangat e policisë në Belgjikë, pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme bimësh kanabisi në rajonin e Namur.

Sipas mediave vendase, i riu, i identifikuar si Eljani, rezulton të jetë i arsimuar, poliglot dhe i punësuar në sektorin e implanteve dentare, pa precedentë penalë. Megjithatë, ai u ndalua nga policia e trafikut gjatë një kontrolli rutinë, ku në automjetin e tij tip “Volvo” u ndje një erë e fortë kanabisi.

Reklame

Pas ndalimit, ai bashkëpunoi me autoritetet duke treguar vendndodhjen e lëndës narkotike. Gjatë kontrollit u zbuluan rreth 600 fidanë kanabisi, të cilat dyshohet se po transportoheshin në kuadër të një aktiviteti të paligjshëm.

Sipas dëshmisë së tij, transporti i ishte ofruar nga një tjetër shqiptar në një kafene në Bruksel, ndërsa ai pretendoi se do të paguhej 500 euro për këtë shërbim. I riu nuk ka dhënë detaje mbi rrjetin apo destinacionin përfundimtar të lëndës narkotike.

Prokuroria belge dyshon për përfshirje në një organizatë kriminale, duke e konsideruar rastin si kërcënim për shëndetin publik, dhe ka kërkuar dënimin me 2 vite burg.

Nga ana tjetër, mbrojtja ka kërkuar një masë më të butë, duke argumentuar se bëhet fjalë për një rast të izoluar dhe se i riu nuk ka histori kriminale.

Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të shpallet më 1 qershor.

Reklame