Emisioni investigativ italian “Le Iene” ka publikuar një investigim tronditës mbi një Call Center që operonte nga Tirana, i cili mashtronte shtetas nga vende të ndryshme, kryesisht italianë, duke i nxitur të investonin shuma të konsiderueshme parash në platforma fiktive.

Investigimi vjen vetëm dy ditë pas goditjes së grupit kriminal nga SPAK, i cili, sipas autoriteteve, ushtronte aktivitetin e paligjshëm në një nga kullat luksoze të kryeqytetit.

Reklame

Sipas “Le Iene”, gazetarët e emisionit kishin marrë ankesa të shumta nga shtetas italianë, të cilët pohonin se ishin mashtruar përmes telefonatave dhe kishin humbur mijëra euro.“Ne arritëm të infiltronim një nga njerëzit tanë brenda Call Center-it për të kuptuar nga afër se si funksiononte mekanizmi i mashtrimit”, raporton “Le Iene”.

Nga të dhënat e mbledhura, rezulton se dhjetëra operatorë telefonikë kontaktonin qytetarë të ndryshëm duke i bindur të investonin fillimisht shuma të vogla, që nisnin nga 250 euro, por që më pas rriteshin gradualisht deri në 200 mijë euro.

Një nga udhëzimet kryesore që iu dha gazetarit të infiltruar ishte që viktimat:“Të mos lejoheshin të fitonin më shumë se 30–50 euro në ditë, në mënyrë që të nxiteshin të investonin sërish”.

Investigimi zbulon gjithashtu se mashtrimi ishte i organizuar dhe i kontrolluar në detaje. Një shtetas italian, i punësuar në këtë Call Center, i ka treguar të infiltruarit se:“Vetëm gjatë një muaji pune kam fituar nga 3 500 deri në 10 000 euro”.

Për të shmangur çdo provë vizuale, brenda ambienteve të Call Center-it, sipas raportimit:“Telefonave personalë u bllokohej kamera, që askush të mos filmonte apo fotografonte atë që ndodhte brenda”.

Investigimi i “Le Iene” hedh dritë mbi një skemë mashtrimi ndërkombëtar, e cila tashmë është nën hetim nga SPAK, ndërsa priten zhvillime të reja lidhur me përgjegjësit dhe përmasat reale të dëmit financiar.

Reklame