Altin Fani, një prej njerëzve më të besuar të biznesmenes Vilma Nushi, është emërua drejtor operacional pranë Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH), me detyrë specifike menaxhimin e procesit të Kontrollit Bazë-Check Up.
Vendimi është marrë së fundmi nga drejtoresha e OSHISH, Yllka Kukulaj, e cila është një nga emërimet e para dhe më të rëndësishme të Ministries së re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.
Altin Fani është administratori jetëgjatë i kompanisë “3P Life”, e cila zotëroi për dhjetë vjet kontratën koncesionare të “Check-Up-it”. Nga një vëzhgim i kryer nga “Boldnews.al” në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), emri i Fanit rezulton ende administrator në shoqërinë koncesionare.
Megjithatë, ky detaj mund të tregojë thjesht një vonesë burokratike në dorëzimin e dokumentave, pasi redaksia ka mësuar nga burime të mirëinformuara se ai tashmë ka marrë detyrën e rëndësishme publike.

Koncesioni i Shërbimit të Kontrollit Bazë Shëndetësor ishte kontrata e parë ndër katër të tilla të nënshkruara nga qeveria shqiptare me kompani private. Afati i kontratës u zgjat edhe me dy vjet, duke shkuar në 12 vjet në total, ndërkohë që kostoja e saj u përllogarit në rreth 140 milionë dollarë.
Në përfundim të afatit të kontratës koncesionare, shërbimi i “Check-Up-it” i kaloi në kompetencë kompanisë publike, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore.
Por, megjithëse tashmë shërbimi do të ofrohet nga institucionet shtetërore, sërish menaxhimi i tyre pritet të realizohet nga njerëzit që e kanë kryer këtë proces për llogari të subjektit privat të Vilma Nushit.
Në praktikë, duket se asgjë nuk ka ndryshuar, pavarësisht se kryeministri Edi Rama dhe titullarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë deklaruar shpesh se tashmë shërbimet që më parë ishin dhënë prej qeverisë së tyre me koncesion, përfshirë Hemodializën, Sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe Laboratorët, do të menaxhoheshin nga entet publike.
Formalisht, kjo gjë po ndodh, me krijimin e OSHISH. Por, zbatimi tregon tjetër gjë. Rasti konkret është pikërisht emërimi i Altin Fanit, ish-vartësit të Vilma Nushit, në krye të Drejtorisë Operacionale në OSHISH.
Fani dhe hetimet e SPAK-ut
Kontrata koncesionare për ofrimin e Shërbimit të Kontrollit Shëndetësor Bazë, Check-Up, është pjesë e një hetimi të nisur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për mënyrën se si janë realizuar procedurat tenderuese dhe, sidomos, zbatimi i tyre.

Si administrator i shoqërisë, emri i Altin Fanit është përfshirë në listën e personave nën hetim ose të thirrur për të dhënë sqarime rreth kësaj dosjeje.
Gjithashtu, ai u thirr për të dhënë sqarime gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për Koncesionet, në vitin 2022.

Kompania “3P-Life” u krijua menjëherë pasi fitoi kontratën koncesionare të “Check-Up”-it. Ajo zotërohet në shumicën absolute (85 përqind) nga biznesmenia Vilma Nushi, nëpërmjet shoqërisë së saj, “Marketing and Distribution”.
Nënshkrimi i kontratës koncesionare 140 milionë dollarë është kritikuar ashpër nga opozita dhe ekspertë të sektorit të Shëndetësisë. Pronarja absolute e koncesionit, Vilma Nushi, njihet gjerësisht si mikeshë e kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që aktiviteti i saj tregtar nuk ka pasur kurrë lidhje me sektorin e Shëndetësisë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të kryer në vitin 2022, konstatoi se numri i qytetarëve që paraqiteshin për të kryer analizat ishte më i ulët se parashikimet, por kompania koncesionare përfitoi miliona euro nga taksapaguesit për analiza dhe shërbime që nuk u kryen kurrë në terren.
Lexo edhe
Ministrja e re e Shëndetësisë, Spahiu: O sjell Pet-Scanin, ose do të jap dorëheqjen!
Nuk ka hequr as presjet/ PD kallëzon Klodiana Spahiun në SPAK për plagjiaturë














