Një operacion i Policisë Kufitare në Kukës ka goditur një tjetër rast të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, duke çuar në arrestimin e dy të rejave nga Tirana.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një skemë të re transporti të emigrantëve kundrejt pagesës, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Mënyra”.
Si rezultat, në pranga ranë shtetaset F. B., 31 vjeçe, dhe Xh. C., 22 vjeçe.
Sipas Policisë, 31-vjeçarja u kap në flagrancë në fshatin Morinë, duke transportuar me automjetin e saj 7 emigrantë të paligjshëm, të cilët synonin të kalonin kufirin drejt Kosovës kundrejt pagesës.
Ndërkohë, 22-vjeçarja kishte rolin e “skautes”, duke lëvizur me një automjet tjetër përpara dhe duke kontrolluar rrugën me qëllim shmangien e kontrolleve policore.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet e përdorura në këtë aktivitet, si dhe një sasi eurosh dhe parash të tjera, që dyshohet se përfitoheshin nga aktiviteti i paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të rrjetit që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.















