Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërhyrë pas një denoncimi të bërë nga qytetarët, duke ushtruar kontroll në subjektin “Merja”, i vendosur në lagjen Shkozë.

Gjatë inspektimit në ambientet e magazinës, inspektorët kanë konstatuar një sasi prej 3,984 kilogramësh produkte të miksuara, kryesisht bimë të thata të ambalazhuara në thasë plastikë, të cilat rezultonin të paetiketuara dhe pa asnjë informacion mbi afatin e përdorimit, origjinën apo përbërjen e tyre.

Reklame

Në këto kushte, AKU ka vendosur bllokimin e menjëhershëm të gjithë sasisë së produkteve të gjetura në magazinë, duke i konsideruar ato të pasigurta për konsum.

Ndaj subjektit janë marrë edhe masa administrative, ku është vendosur një gjobë prej 200,000 lekësh për mungesën e gjurmueshmërisë së produkteve, si dhe një tjetër gjobë prej 100,000 lekësh për moszbatimin e sistemit të vetkontrollit, përfshirë mungesën e skedave të monitorimit gjatë procesit të miksimit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se mbetet i angazhuar në garantimin e sigurisë ushqimore dhe u bën thirrje qytetarëve të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi apo parregullsie në treg.

Reklame