Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me avokatin Kujtim Cakrani, i cili deri më tani ka qenë pjesë e mbrojtjes së tij ligjore. Ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me emrin e avokatit të ri që do të marrë përsipër përfaqësimin e Metës.
Sipas informacioneve të siguruara, gjatë ditëve të fundit pranë ambienteve të paraburgimit “313” është paraqitur avokati Bujar Musta për të zhvilluar takime me Metën.
Burime pranë institucionit bëjnë me dije se gjatë këtyre takimeve, Musta ka paraqitur një prokurë përfaqësimi në emër të ish-presidentit. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ai do të marrë përsipër mbrojtjen e Metës në procesin gjyqësor në themel pranë Gjykatës së Posaçme apo në procedurat që mund të ndiqen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Pritet që më shumë detaje të bëhen të qarta në seancën e ardhshme gjyqësore, e cila është caktuar të zhvillohet më 9 korrik në GJKKO, ku mund të konfirmohet edhe përbërja e re e ekipit mbrojtës të Ilir Metës.














