Në Prime-in e së shtunës, Artani u përball me një surprizë të papritur në dhomën e rrëfimit: një arush pellushi, simbol i historisë së tij të dashurisë.
“E putha në buzë dhe që nga ajo ditë ndryshoi gjithçka”
Teksa mbante në duar arushin që, sipas tij, ka mbi 25 vite, Artani tregoi se dhurata ishte bërë për bashkëshorten e tij në fillimet e lidhjes.
“Ky arush ka mbi 25 vite. E kam dhuratë. Çuditërisht, kudo që shkonim ishte prezent. Ia kam bërë dhuratë gruas. Ajo është pak e sertë dhe shumë e rregullt. Duhet të jesh shumë i guximshëm për t’iu afruar,” u shpreh ai.
Artani rrëfeu edhe momentin e parë të puthjes:
“I thashë ‘të ka rënë diçka në qerpik’, mbylli sytë dhe unë e putha në buzë. Duhet të gjesh momentin, jo vetëm të presësh çfarë do bëjë femra.”
Ai theksoi se është rritur nga një nënë e fortë, pasi babai i tij u largua kur ishte vetëm 8 vjeç, duke shtuar se kjo e ka ndihmuar të kuptojë më mirë karakterin e grave.
Humbja e prindërve dhe plagët e familjes
Më pas, në ekran u shfaq linja e jetës së tij, ku Artani tregoi për humbjen e të dy prindërve në moshë të re.
Babai i tij ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare, ndërsa në vitin 1998 familja mësoi se nëna ishte prekur nga kanceri.
“Në moshën 49-vjeçare mamaja ime mbylli sytë për gjithë jetën. Edhe kur ishte në spital, sytë i kishte nga vëllai, Albani,” tha ai me emocione.
23 vite pa kontakt me vëllain
Një nga momentet më të forta ishte rrëfimi për marrëdhënien me vëllain e tij, Albanin.
Sipas Artanit, pas vitit 2000, kur vëllai u largua drejt Greqisë, ata humbën çdo kontakt për 23 vite. Vetëm në vitin 2023 arriti të merrte një informacion për vendndodhjen e tij.
“I thashë: ‘Jam Tani, vëllai jot’. Më tha: ‘S’të njoh’. U shokova… edhe sot nuk e di çfarë ka ndodhur,” përfundoi ai.
Rrëfimi i Artanit preku publikun, duke sjellë në vëmendje jo vetëm një histori dashurie që nisi me një arush pellushi, por edhe plagë të thella familjare që vijojnë të mbeten të hapura.















