Bordi i Transparencës ka publikuar këtë të martë çmimet e reja të karburanteve, të cilat kanë hyrë në fuqi më 20 maj 2026, në orën 18:20.
Sipas vendimit të bordit:
- Çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin standard SSH EN 590 është caktuar jo më shumë se 202 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë jo më shumë se 190 lekë për litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë për benzinën është vendosur jo më shumë se 188 lekë për litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 176 lekë për litër.
Bordi thekson se këto çmime do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, duke theksuar se në rast shkeljesh do të ketë pezullim të aktivitetit.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se, bazuar në Aktin Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, ulja e akcizës në nivelin 80% zbatohet vetëm kur çmimi i gazoilit kalon 220 lekë/litër ose benzina kalon 200 lekë/litër.
Meqenëse çmimet aktuale janë nën këto kufij, akciza për karburantet do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë 100%.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.















