Advertisement

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se do të ftojë liderët e partive opozitare në një seri takimesh, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Kurti bëri të ditur se deri tani nuk ka pasur kohë për konsultime të brendshme për këto takime, për shkak të një vizite zyrtare në Parisin e Francës, por garantoi se ftesat dhe takimet do të zhvillohen së shpejti.

Reklame

“Për të qenë i sigurt në procesin e zgjedhjes së presidentit, nevojitet mbështetje më e gjerë në Kuvend. Nuk mendoj se është e mjaftueshme vetëm të kemi 80 ose 81 deputetë; duhet të jemi rreth 84-86 që të sigurohemi se zgjedhja do të shkojë pa pengesa,” deklaroi Kurti, duke theksuar se takimet me opozitën do të shërbejnë për të diskutuar ofertat dhe kërkesat që mund të lindin.

I pyetur mbi fatin e kandidaturave të ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe deputetes së LVV-së, Fatmire Kollçaku, Kurti u përgjigj: “Do të shihet se çka është e mundur ligjërisht”.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri thirrje për vullnet politik nga të gjitha partitë për të zgjidhur çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ajo njoftoi se sapo të përfundojnë konsultimet, do të thërrasë vazhdimin e seancës për këtë proces.

Analistët politikë vlerësojnë se kurimi i marrëveshjeve me opozitën do të jetë vendimtar për stabilitetin e qeverisë dhe legjitimitetin e kreut të ardhshëm të shtetit.

Reklame