Ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i dorëzoi zyrtarisht këtë të premte detyrën ministrit të ri Enea Karakaçi, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në drejtimin e një prej dikastereve më strategjike të qeverisë.

Gjatë ceremonisë së prezantimit, Balluku theksoi se Karakaçi është një produkt i vetë administratës së ministrisë, duke e cilësuar emërimin e tij si një shembull të zhvillimit profesional brenda institucioneve shtetërore.

Reklame

“Sot kam në krah ministrin e ri, që sapo ka nisur një rrugëtim shumë të rëndësishëm. Enea Karakaçin e kam njohur në këtë ministri. Ai është rritur këtu dhe ka kaluar nivele të ndryshme, duke u kthyer në një provë të gjallë të zhvillimit të administratës publike”, u shpreh Balluku.

Ajo theksoi se ministri i ri nuk është një emërim personal i saj, por një profesionist i formuar brenda strukturave të ministrisë.

“Enea nuk është as shoku im dhe as e kam sjellë unë. Ai duhet të jetë frymëzim për secilin nga ju”, tha ajo.

Balluku: Jam përballur me një “gjyq publik”

Në fjalën e saj, Balluku foli edhe për situatën personale dhe debatet publike që e kanë shoqëruar kohët e fundit, duke e cilësuar klimën ndaj saj si një “gjyq publik”.

Sipas saj, vendimi për të bërë një hap pas lidhet edhe me dëshirën që institucionet të vazhdojnë punën pa u ndikuar nga situata e saj.

“Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik, që fatkeqësisht bëhet me shumë lehtësi në këtë vend. Unë jam rritur me gjyqet publike dhe ndoshta kurrizi ma mban më mirë se kujtdo tjetër”, deklaroi ajo.

Balluku shtoi se nuk ka penguar dhe nuk do të pengojë asnjëherë drejtësinë.

“Di të bëj punën time. Jam munduar dhe ndoshta mund ta bëja edhe më mirë, por nuk e kam penguar drejtësinë dhe as do ta pengoj kurrë”, theksoi ajo.

“Nuk kam lidhje me korrupsionin”

Duke komentuar akuzat dhe debatet politike, Balluku deklaroi prerazi se nuk ka pasur asnjë lidhje me korrupsionin.

“Nuk kam pasur dhe as nuk kam lidhje me korrupsionin. Kam marrë një vendim personal që të hesht për çështjen juridike, sepse besoj se çdo çështje duhet të zgjidhet në institucionet e drejtësisë dhe jo në media apo rrjete sociale”, u shpreh ish-ministrja.

Ajo shtoi se nuk do të komentojë vendimet e drejtësisë, duke theksuar se beson tek reforma në drejtësi dhe tek pavarësia e institucioneve.

Sipas Ballukut, drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pandikuar nga presioni publik apo politik.

Falënderim për Ramën dhe bilanci i punës

Në fjalën e saj, Balluku falënderoi kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen gjatë viteve në drejtimin e ministrisë.

Ajo renditi një sërë projektesh dhe arritjesh gjatë mandatit të saj, duke përmendur transformimin e sektorit energjetik dhe zhvillimet në infrastrukturë.

“Bashkë kemi transformuar sektorin energjetik. Kemi rritur kapacitetet prodhuese, kemi diversifikuar portofolin energjetik dhe kemi ngritur bursën e parë shqiptare të energjisë”, tha Balluku.

Ajo përmendi gjithashtu projektet infrastrukturore dhe zhvillimet në sektorin e transportit ajror, duke veçuar transformimin e aeroportit të Tiranës dhe projektin e aeroportit të Vlorës.

Mesazh për administratën: Veprat mbeten, jo fjalët

Në fund të fjalës së saj, Balluku pati një mesazh për stafin e ministrisë, duke theksuar se puna konkrete është ajo që mbetet.

“Populli thotë se gjuha kocka nuk ka, por thyen kocka. Fjalët mund të lënë plagë, por në fund i merr era. Ajo që nuk e merr era janë veprat dhe puna që lini pas”, u shpreh ajo.

Me këtë ceremoni, drejtimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i kalon zyrtarisht Enea Karakaçit, i cili pritet të vijojë projektet strategjike në energji dhe infrastrukturë të nisura gjatë viteve të fundit.

Reklame