Tre fëmijë të mitur në qytetin e Durrësit janë marrë në kujdes nga Shërbimi Social, pasi u gjetën vetëm në banesë, një situatë që ngriti dyshime për braktisje. Ngjarja ka hapur debat mbi kufirin mes varfërisë dhe neglizhencës prindërore, ndërsa nëna e fëmijëve mohon kategorikisht akuzat.
Nëna e tre fëmijëve, Blerina, shprehet se rasti është keqinterpretuar dhe se ajo nuk i ka braktisur kurrë fëmijët e saj, por është detyruar t’i lërë vetëm për shkak të kushteve të rënda ekonomike.
“Kam tre fëmijë, 5, 10 dhe 12 vjeç. Jam e divorcuar prej 5 vjetësh dhe punoj banakiere. Paguhen 400 mijë lekë në muaj dhe 300 mijë më shkojnë vetëm për qeranë. Nuk kam mundësi të rri me ta gjatë gjithë kohës, por kurrë nuk i kam braktisur,” shpjegon ajo.
Sipas Blerinës, denoncimi ka ardhur pas një konflikti familjar. Ajo akuzon ish-vjehrrën se ka hyrë pa leje në banesën e saj dhe ka ndikuar tek fëmijët që të flasin keq për të, duke e vendosur në një situatë të rëndë ligjore.
“Ky është një kurth. Nuk e di si mund të ndodhë që dikush të hyjë në shtëpinë time pa leje dhe të më denoncojë në polici,” thotë ajo.
Nëna tregon gjithashtu se një nga fëmijët ka pasur probleme serioze shëndetësore. Djali i dytë ka vuajtur nga epilepsia dhe ka kaluar periudha të gjata në spitale për trajtim, ndërsa aktualisht gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.
Sa i përket babait të fëmijëve, Blerina pohon se ai ka qenë i dënuar dhe ka vuajtur 5 vite burg në Itali, ndërsa aktualisht kontribuon vetëm me 180 mijë lekë të vjetra në muaj për ushqimin e fëmijëve.
“Fëmijët nuk do t’i lë kurrë në jetimore. Jam nënë dhe do t’i mbroj me çdo kusht,” shprehet ajo, duke theksuar se varfëria nuk duhet të barazohet me braktisjen.
Ndërkohë, pritet që institucionet përkatëse të nisin procedimet ligjore lidhur me denoncimin e bërë, ndërsa Shërbimi Social po vlerëson situatën për të vendosur mbi të ardhmen e tre të miturve.














