Pa kaluar dy muaj nga grabitja e fundit, 39-vjeçarja Kumrie Zika, e cila dyshohet se kishte kthyer në skemë punësimin e përkohshëm për të vjedhur xhirot ditore të bizneseve, ka përfunduar në prangat e Policisë.
Zika u kap sot në ambientet e një lokali në Tiranë nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të operacionit të koduar “Skema”.
Sipas Policisë, hetimet kanë dokumentuar të paktën 5 raste vjedhjesh në biznese që ndodhen në territorin e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2.
Punësohej përkohësisht dhe merrte xhiron
Sipas hetimeve, skema që dyshohet se përdorte 39-vjeçarja ishte e thjeshtë.
Ajo identifikonte biznese që kishin nevojë për punonjës, punësohej përkohësisht dhe, pasi krijonte mundësinë për të pasur akses në ambientet dhe paratë e subjektit, dyshohet se merrte xhiron ditore dhe largohej.
Policia thotë se pas vjedhjeve ajo largohej nga biznesi, ndërsa më pas dyshohet se përsëriste të njëjtën mënyrë veprimi në subjekte të tjera.
Hetimet vijojnë për raste të tjera
Operacioni “Skema” u finalizua nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Sipas Policisë, K. Z., 39 vjeçe, banuese në Tiranë, ishte shpallur në kërkim dhe tashmë është kapur e ndaluar.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur raste të tjera vjedhjesh për të cilat 39-vjeçarja mund të jetë përgjegjëse.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe:
Samir Mane ndalohet në Rinas para fluturimit, i bllokohet pasaporta! Policia mban sekret














