Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar datën 6 gusht për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet e qershorit. Seanca do të nisë në orën 10:00.

Vendimi është marrë pak para skadimit të afatit kushtetues, i cili përfundon më 7 gusht. Ndërkohë, partitë politike vijojnë përpjekjet për të gjetur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve të reja.

Reklame

Haxhiu u ka bërë thirrje subjekteve parlamentare që të vijojnë dialogun. Ajo e cilësoi dialogun si një përgjegjësi demokratike dhe institucionale.“Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, deklaroi Haxhiu.

Nis afati për zgjedhjen e presidentit

Sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, me konstituimin e Kuvendit nis edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e kreut të shtetit, Kuvendi shpërndahet. Në këtë rast, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Ngërçi politik vijon

Kriza politike në Kosovë lidhet me mungesën e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera parlamentare.

Bisedimet mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se ishte i detyruar të ndërpriste diskutimet për shkak të një nisme të brendshme për shkarkimin e tij nga drejtimi i partisë.

Në zgjedhjet e fundit, LVV-ja e Albin Kurtit siguroi 53 mandate. PDK-ja mori 22 mandate, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7 ulëse.

Për formimin e qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit nevojiten 61 vota nga 120 deputetë.

Deklaratat skandaloze të Paunoviç ndaj Kosovës, Marta Kos: E habitshme si vazhdon të jetë në detyrë

Reklame