Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk propozoi një kandidat për postin e kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar më shumë kohë për bisedime me partitë opozitare në funksion të arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Në seancën e parë morën pjesë 119 deputetë, të cilët bënë betimin, ndërsa mbledhja u drejtua nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kurti deklaroi se synon të zhvillojë bisedime me të gjitha forcat politike, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), edhe pse, sipas tij, qëndrimi refuzues i këtyre partive është bërë tashmë i qartë.
“Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se konstituimi i institucioneve nuk duhet të çojë sërish në shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”, deklaroi ai.
Dy ditë më parë, Kurti zhvilloi një takim me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, partia e të cilit ka shprehur synimin për të propozuar kandidatin për president.
Pas takimit, Kurti deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje do të mbështesë një figurë që nuk është e përfshirë në politikën e përditshme. Ai kujtoi gjithashtu se në pranverë nuk mbështeti një mandat të dytë për Vjosa Osmanin, e cila tashmë është zgjedhur deputete.
Lexo edhe:
Kurti shpall fitoren: “LVV do të vazhdojë të qeverisë Kosovën”
Kurti: Jemi të gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit














