Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, ka bërë deklarata të forta gjatë pjesës së takimit me dyer të mbyllura të Këshillit Kombëtar të PD-së, ku ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për mënyrën se si deputetët demokratë kanë dhënë firmat për kandidaturën e Endri Shabanit për postin e Avokatit të Popullit.

Kalaja ka theksuar se zgjedhja e Shabanit është bërë me firmat e Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si një figurë të lidhur me fondacionin Soros.

Reklame

“Jam dakord me Lisandrin. Soros duhet të shpallet non grata nga qeveria e ardhshme. Mendoj se PD duhet të shkojë më djathtas, duhet të jemi konservatorë dhe jo të pretendojmë se jemi parti e qendrës së djathtë. Është zgjedhur Avokati i Popullit një ‘Soros-i’ me firmat e PD-së. Duhet të ngrihet një Komision Hetimor për mënyrën sesi u morën firmat për Shabanin”, është shprehur Kalaja.

Sipas tij, Partia Demokratike duhet të rishikojë qartë orientimin e saj politik dhe të distancohet nga vendime që, sipas Kalasë, bien ndesh me parimet konservatore dhe identitetin e djathtë të partisë.

Deklaratat e tij pritet të nxisin debate të reja brenda strukturave drejtuese të PD-së, në një moment kur tensionet dhe përplasjet e brendshme vijojnë të jenë të forta.

Reklame