Advertisement

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur akuza të forta në Kuvend ndaj qeverisë, duke vënë në shënjestër licencimin e bankës së re tregtare “Jet Bank” dhe duke kërkuar transparencë të plotë mbi pronësinë dhe burimet e kapitalit të saj.

Gjatë një interpelance në seancën plenare, Këlliçi deklaroi se aksionerë të lidhur me bankën dyshohet se kanë lidhje me skema mashtruese ndërkombëtare dhe rrjete të dyshuara për pastrim parash, duke ngritur shqetësime për stabilitetin e sistemit financiar në vend.

Reklame

Në fokus të akuzave të tij ishte aksioneri mazhoritar i bankës, Oliver Hemer, për të cilin ai pretendoi se është përmendur në raportime të autoriteteve rregullatore europiane si i lidhur me skemën “4XFX” dhe me rrjete financiare të lidhura me çështje të hetuara në disa shtete.

Këlliçi ngriti gjithashtu shqetësimin se drejtuesit dhe aksionerët e bankës nuk kanë eksperiencë të mëparshme në sektorin bankar, duke e konsideruar këtë një risk për depozitat e qytetarëve dhe për vetë stabilitetin e sistemit bankar shqiptar.

Ai kërkoi sqarime nga qeveria nëse janë kryer verifikime të plota nga institucionet përgjegjëse për burimin e kapitalit, strukturën e pronësisë dhe lidhjet e mundshme me platforma financiare të palicencuara.

Deputeti demokrat ngriti pyetje edhe mbi rolin e institucioneve të sigurisë dhe atyre financiare, përfshirë verifikimet nga strukturat e parandalimit të pastrimit të parave dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, si dhe nëse janë informuar partnerët ndërkombëtarë për licencimin e bankës.

Deri tani nuk ka pasur një reagim publik nga qeveria apo nga kryeministri për akuzat e ngritura në Kuvend.

PJESË NGA FJALA E BELIND KËLLIÇIT

Për këtë interpelancë duke i drejtuar pyetjet e mëposhtme kryeministrit. Një, a ka dijeni kryeministri Edi Rama për lidhjet e dokumentuara nga autoritetet rregullatore gjermane, britanike, spanjolle dhe estoneze të shtetasit Oliver Hemer, drejtor i shoqërisë Konsador LTD, aksioner me 71.52% i Jet Bank, me skemën mashtruese 4XFX dhe rrjetin e Gal Barakut, të dënuar në Austri për mashtrim me dëm financiar në vlerën mbi 200 milionë euro?

Dy, a mundet të garantojë kryeministri Edi Rama për qytetarët shqiptarë se depozitat e tyre në Jet Bank do të jenë të sigurta duke patur parasysh se, Agjencia e sigurimit të depozitave mbulon vetëm shumat të kufizuara për depozituesit.

Fondi i ASD-së financohet nga kontributet e të gjitha bankave të tjera në treg, duke e kthyer riskun e një banke të re në një risk që në rast dështimi do të përballohej nga fondi i krijuar prej kontributeve të sistemit bankar e do të kishte pasoja mbi besimin e qytetarëve në të gjithë sistemin financiar.

Dhe asnjë prej aksionarëve dhe anëtarëve të bordit të Jet Bank nuk ka eksperiencën e mëparshme në drejtim bankar, as nuk ka operuar kurrë në një bankë tregtare në ndonjë vend tjetër të botës apo dhe në Shqipëri.

Tre, a ka kërkuar kryeministri, pa cenuar pavarësinë ligjore të Bankës së Shqipërisë, që Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, shërbimet përgjegjëse të sigurisë kombëtare dhe institucionet ligjzbatuese të verifikojnë burimin e kapitalit, pronësinë përfituese, lidhjet e raportuara me platforma të palicencuara financiare dhe çdo risk të mundshëm për pastrim parash që lidhet drejtpërdrejtë me licencimin dhe nisjen e aktivitetit të Jet Bank.

Katër, a ka kërkuar kryeministri Edi Rama verifikime të hollësishme nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare mbi aksionarët, pronarët përfitues dhe anëtarët e organeve drejtuese të Jet Bank, veçanërisht mbi shtetasit Oliver Hemer, Idan Avishai, Rami Solomon dhe Saniel Sanileviç, duke patur parasysh se lidhjet e disa prej tyre sipas burimeve të hapura, i lidhin me struktura të dokumentuara nga autoritetet policore europiane si rrjete pastrimi parash. Përbëjnë çështje me implikime të drejtpërdrejta këto në sigurinë kombëtare dhe stabilitetin financiar të vendit.

Pesë, a mundet të konfirmojë apo mohojë kryeministri Edi Rama pretendimet publike se licencimi i Jet Bank është mbështetur nga persona me ndikim pranë qeverisë, sipas informacioneve të raportuara në media serioze në vend, dhe a është hetuar kjo çështje nga organet përkatëse të qeverisë?

Gjashtë, a është kërkuar informacion nga autoritetet homologe britanike, gjermane, estoneze, qipriote, holandeze, izraelite dhe kroate për aksionarët, administratorët, (bell rings) sa ta përfundoj, të lutem. Përfundoni. Administratorët, pronarët përfitues dhe shoqëritë e përfshira në strukturën e Jet Bank, përpara dhe pas dhënies së licencës përfundimtare. Nëse po, cilat institucione janë pyetur dhe cilat janë përgjigjet që janë marrë?

Edhe dy pyetje të lutem kam. Shtatë, a janë vënë në dijeni partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane, autoriteti i Bashkimit Europian kundër pastrimit të parave, si dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë për licencimin e kësaj banke dhe strukturën e saj të pronësisë?

Reklame