Adriatik Kupi ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, pas shtatë muajsh në drejtimin e sistemit penitenciar. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kupi përmes një deklarate, ku ka renditur disa nga prioritetet e punës së tij dhe ka falënderuar bashkëpunëtorët për mbështetjen gjatë kësaj periudhe.
Në mesazhin e tij, Kupi e përshkruan periudhën në krye të institucionit si të vështirë, duke theksuar se përballja me problematikat e sistemit ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme, vendime të vështira dhe përgjegjësi të vazhdueshme.
Ai shprehet se gjatë këtyre muajve puna është përqendruar te forcimi i sigurisë, përmirësimi i administrimit dhe modernizimi i sistemit penitenciar, si dhe te rritja e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të punonjësve.
Kupi ka vënë theksin edhe te respektimi i të drejtave të personave që vuajnë dënimin, transparenca dhe krijimi i mundësive për rehabilitimin e tyre dhe rikthimin në shoqëri.
Në deklaratën e dorëheqjes, ai pranon se gjatë ushtrimit të detyrës ka pasur kritika dhe kundërshtime, duke shtuar se është përpjekur t’i dëgjojë ato dhe të vijojë punën përballë pengesave.
“Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot”, shprehet Kupi në mesazhin e tij.
Në fund, ai ka falënderuar Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë të veçantë ministrin Toni Gogu, drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe bashkëpunëtorët e tij.
Kupi deklaron se largohet me respekt për përgjegjësinë që i është besuar, duke shprehur dëshirën që puna e nisur të vijojë për ndërtimin e një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor.
Deri në këtë moment, në deklaratën e përcjellë nuk jepet një arsye konkrete për dorëheqjen e tij.
Lexo edhe
Parashikimi i motit për ditën e sotme 12 tetor. Reshje shiu dhe mjegull
Horoskopi e hënë, 12 tetor 2026. Parashikimi i yjeve për secilën shenjë














