Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, është dërguar me urgjencë mesditën e sotme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), pas komplikacioneve shëndetësore të shfaqura papritur.
Burime spitalore bëjnë me dije se ish-kreu i shtetit është paraqitur në spital me vështirësi në frymëmarrje dhe, menjëherë pas mbërritjes, është shtruar në repartin e Reanimacionit, pranë Klinikës së Kardiologjisë, ku po mbahet nën monitorim intensiv nga stafi mjekësor.
Sipas të njëjtave burimeve, parametrat jetësorë të Alfred Moisiut janë aktualisht stabël, ndërsa mjekët po ndjekin gjendjen e tij në dinamikë, për të vlerësuar hapat e mëtejshëm të trajtimit.
Po ashtu, bëhet e ditur se po shqyrtohet momenti i përshtatshëm për kryerjen e një ndërhyrjeje të nevojshme, në varësi të ecurisë së gjendjes shëndetësore.
“I gjithë stafi i shërbimit të Kardiologjisë është në gatishmëri për të mbajtur nën kontroll gjendjen e ish-Presidentit”, konfirmojnë burime nga QSUT.
Autoritetet shëndetësore pritet të japin informacione të tjera zyrtare në orët në vijim, në varësi të zhvillimit të situatës.














