“13 gëzhoja dhe 20 dëshmitarë”/ Detaje nga atentati ndaj Artan Myrtajt, hetuesit verifikojnë edhe vrasjen me pagesë

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi për atentatin e ndodhur ditën e djeshme në Sarandë, ku u ekzekutua me armë zjarri Artan Myrtaj, i njohur edhe si “Tani i Ruzhdiut”.

Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 mm, ndërsa rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e atentatit janë marrë në pyetje.

Hetuesit analizojnë kamerat

Një pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me pamjet e kamerave të sigurisë në qytet.

Sipas të dhënave të bëra publike, disa prej kamerave janë hapur dhe pamjet po analizohen nga hetuesit, ndërsa për kamera të tjera vijon puna për sigurimin e aksesit.

Qëllimi është rindërtimi i lëvizjeve të autorëve para dhe pas atentatit, si dhe identifikimi i itinerarit të përdorur prej tyre pas largimit nga vendi i ngjarjes.

Postblloqe në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës

Kontrollet janë shtrirë edhe në akset dalëse të Sarandës.

Postblloqe janë ngritur në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, në kuadër të përpjekjeve për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Ndërkohë, hetimi po zhvillohet në disa pista dhe deri tani nuk ka një motiv të konfirmuar zyrtarisht për vrasjen.

Verifikohet pista e vrasjes me pagesë

Një nga pistat që po verifikohet nga hetuesit është mundësia që atentati të jetë kryer nga vrasës me pagesë.

Paralelisht, nuk përjashtohet edhe një lidhje me një konflikt të nisur pas një ngjarjeje të korrikut 2025, kur u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj.

Artan Myrtaj ishte përfshirë në hetimet për atë ngjarje dhe, sipas të dhënave të bëra publike, ishte liruar pak kohë para ekzekutimit.

Pavarësisht pistave që po verifikohen, deri në këto momente nuk ka një motiv të konfirmuar zyrtarisht për vrasjen e 42-vjeçarit.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit.

Lexo edhe:

“Keni dështuar!”/ Ina Zhupa godet Policinë pas atentatit në Sarandë: “Të reformohet totalisht zinxhiri drejtues”

Atentati në Sarandë/ 44-vjeçari ishte ulur në kafe, sapo pikasi autorët tentoi të largohet me vrap

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version