Një atentat me armë zjarri ka tronditur paraditen e sotme qendrën e Sarandës, pranë ish-agjencisë së vjetër.
Viktima është 42-vjeçari Artan Myrtaj, i cili u qëllua me armë zjarri nga dy persona që, sipas informacioneve paraprake, lëviznin me motor dhe mbanin skafandra. Pas të shtënave, autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Nga plumbat mbeti i plagosur edhe një kalimtar, i cili u transportua me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
Pamjet nga vendi i atentatit janë të rënda. Nëna e 42-vjeçarit mbërriti në vendngjarje dhe, sapo pa të birin të shtrirë të pajetë në tokë, shpërtheu në lot.
Në pamje shihet momenti i dhimbshëm, teksa një grua dhe një efektiv policie përpiqen ta mbajnë nënën, e cila përballet me lajmin tragjik për humbjen e të birit.
Ndërkohë, policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në vendngjarje janë mbledhur prova dhe po verifikohen kamerat e sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e autorëve para dhe pas atentatit.
Një vit më parë ishte përfshirë në një plagosje
Sipas burimeve, Artan Myrtaj ishte përfshirë rreth një vit më parë në një ngjarje plagosjeje në Sarandë, ku konflikti dyshohet se kishte nisur për një sipërfaqe toke në zonën bregdetare.
Nëse kjo ngjarje e mëparshme ka lidhje me atentatin e sotëm, mbetet për t’u përcaktuar nga hetimet.
Deri në këto momente, motivi i vrasjes dhe identiteti i autorëve nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Policia vijon kërkimet për dy personat që dyshohet se kryen atentatin, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

lexo edhe:
Atentat në qendër të Sarandës/ Vritet 42-vjeçari Artan Myrtaj, plagoset edhe një kalimtar
Kapen 41 kg kokainë në Portin e Durrësit, droga fshihej në një kontejner me mish pule





