Detaje të reja nga vrasja në Tiranë/ Burri goditi me thikë gruan në gjoks, kapet në Kamëz

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të shtunë në Tiranë, ku Lumturie Patushi humbi jetën pasi dyshohet se u godit me thikë në gjoks nga bashkëshorti i saj.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:20, në një apartament në rrugën “Panorama”, në një kompleks banimi pas shkollës “Harry Fultz”.

Sipas të dhënave paraprake, Lumturie Patushi ndodhej në banesën e vajzës së saj, ku po kujdesej për dy nipërit e saj të mitur, kur bashkëshorti i saj, Hysni Patushi, dyshohet se e ka goditur me thikë në gjoks.

58-vjeçarja u transportua me urgjencë drejt spitalit, por plagët e marra rezultuan fatale dhe ajo nuk mundi të mbijetonte.

Në banesë ndodheshin edhe nipërit dhe dhëndri

Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin dy nipërit e viktimës, njëri prej të cilëve 14 vjeç, si dhe dhëndri i çiftit.

Sipas informacioneve paraprake, i mituri ka parë ngjarjen dhe më pas ka njoftuar Policinë.

Ndërkohë, dhëndri i çiftit është shoqëruar në polici, ku po merret në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes.

Kishin pasur probleme edhe më herët

Lumturie dhe Hysni Patushi banonin në zonën e Don Boskos, ndërsa sipas të dhënave të para dyshohet se mes çiftit kishte pasur probleme edhe më herët.

Policia ka bërë me dije paraprakisht se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti në banesë.

Gjithashtu, sipas informacioneve paraprake, bashkëshorti dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.

U largua pas krimit, kapet në Kamëz

Pas goditjes së bashkëshortes, Hysni Patushi u largua nga vendi i ngjarjes.

Arratisja e tij, megjithatë, zgjati pak. Shërbimet e Policisë arritën ta lokalizojnë dhe kapin në Kamëz.

Ndërkohë, pranë vendit të ngjarjes është gjetur edhe thika që dyshohet se është përdorur në krim, e cila është sekuestruar si provë materiale.

Grupi hetimor po vijon punën për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes, konfliktin mes çiftit dhe rrethanat që çuan në vdekjen e Lumturie Patushit.

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që Policia të japë një informacion më të plotë pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.

Lexo edhe:

Detaje te reja/ Tronditëse në Tiranë/ 68-vjeçari dyshohet se vrau me thikë gruan, ngjarjen e pa nipi 14-vjeçar

Detaje te reja/ Tronditëse në Tiranë/ 68-vjeçari dyshohet se vrau me thikë gruan, ngjarjen e pa nipi 14-vjeçar

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version