“Kam të njohur në Kadastër”/ 100 mijë euro mashtrim qytetarëve, 58-vjeçarja në pranga

Një 58-vjeçare është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se së bashku me një 27-vjeçare kanë mashtruar qytetarë duke u premtuar zgjidhjen e çështjeve pronësore përmes ndërhyrjeve në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Sipas policisë, dy gratë dyshohet se kanë përfituar mbi 100 mijë euro nga qytetarë të ndryshëm, të cilëve u siguronin edhe dokumente të dyshuara të falsifikuara.

Rasti u denoncua pas informacionit të mbledhur nga emisioni investigativ “Stop”, ndërsa policia nisi operacionin e koduar “Premtimi”.

Gjatë veprimeve hetimore, policia sekuestroi një shumë eurosh, që dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe dy telefona celularë.

Në pranga u vu shtetasja S. D., 58 vjeçe, ndërsa për bashkëpunëtoren e dyshuar, S. N., 27 vjeçe, nisi procedimi në gjendje të lirë.

Sipas policisë, 58-vjeçarja u premtonte qytetarëve se mund t’u zgjidhte problemet me pronat, duke pretenduar se kishte persona të njohur në Kadastër.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar raste të tjera të dyshuara dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.

Lexo edhe

Berisha kundër “Pasqyra Albania”: “Mashtrim i ri, një mur mes qytetarit dhe administratës”

Karrem apo mashtrim nga bankat me ofertat e kredive/ Rasti “OTP”

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version