Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë se nuk po merr masa për të lehtësuar barrën mbi qytetarët.
Përmes një reagimi, Xhixho pretendon se çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në rreth 219 lekë për litër, ndërsa sipas saj çmimet janë më të ulëta në vendet fqinje.
“Nafta 219 lekë/litri në Shqipëri! Dhe asnjë masë nga qeveria!”, shkruan Xhixho.
Deputetja krahason çmimet me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Sipas saj, në Maqedoninë e Veriut çmimi është ulur në rreth 1.54 euro për litër, ndërsa në Malin e Zi, pas uljes së akcizës, nafta është rreth 1.87 euro për litër.
Xhixho e lidh çmimin e lartë në Shqipëri me nivelin e taksave mbi karburantet. Ajo pretendon se rreth 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksat.
Në reagimin e saj, deputetja ngre gjithashtu shqetësimin për të ardhurat që sigurohen nga Taksa e Qarkullimit.
Sipas Xhixhos, nga kjo taksë qeveria mbledh rreth 300 milionë euro në vit, ndërsa shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve, sipas saj, janë rreth 55 milionë euro.
“Ku shkojnë 245 milionë euro të tjera, në këtë krizë të rëndë ekonomike?”, pyet Xhixho.
Deputetja thotë se Partia e Lirisë ka propozuar pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, me synim uljen e menjëhershme të çmimit të karburantit.
“Projektligji i Partisë së Lirisë është në Kuvend. Nuk ka nevojë për propagandë të re. Nxirreni nga sirtari, votojeni dhe zbatojeni!”, shprehet ajo.
Xhixho i ka bërë thirrje qeverisë të ndërhyjë për të ulur çmimin e naftës, duke argumentuar se kostot e larta të karburantit ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët dhe ekonomia.
Pretendimet dhe shifrat e bëra publike nga deputetja mbeten pjesë e deklarimit të saj politik.
Lexo edhe
SKANDALOZE/ Xhixho denoncon gjendjen e Lumit të Tiranës: “Është kthyer në katastrofë mjedisore”





