TIRANË – Lumi i Tiranës është kthyer në një pikë grumbullimi mbetjesh dhe inertesh. Denoncimi vjen nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga gjendja e lumit.
Xhixho pretendon se mbeturinat dhe inertet kanë pushtuar shtratin e lumit, duke e kthyer zonën në një problem serioz mjedisor dhe, sipas saj, në një rrezik për banorët që jetojnë pranë tij.
“Lumi i Tiranës është kthyer në një katastrofë mjedisore që po rrezikon shëndetin e qytetarëve”, shkruan Xhixho në reagimin e saj.
Deputetja akuzon Bashkinë e Tiranës se nuk ka ndërhyrë për pastrimin dhe sistemimin e zonës, duke theksuar se problematika, sipas saj, vijon prej vitesh.
“Mbeturinat dhe inertet e kanë kthyer lumin në qendër depozitimi mbetjesh”, shprehet Xhixho, duke ngritur shqetësimin veçanërisht për banorët që jetojnë në afërsi të lumit.
Sipas saj, situata është edhe më shqetësuese për kategoritë më të ndjeshme të popullsisë, përfshirë fëmijët dhe të moshuarit.
“Tirana nuk mund të ketë fasadë moderne dhe lumenj të kthyer në gropa mbetjesh”, shkruan deputetja e Partisë së Lirisë.
Në postimin e saj, Xhixho ka publikuar edhe një video ku shfaqet gjendja e zonës dhe mbetjet e pranishme pranë Lumit të Tiranës.
Denoncimi i deputetes rikthen në vëmendje problematikën e menaxhimit të mbetjeve dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike përgjatë Lumit të Tiranës.
Lexo edhe:
Xhixho: Tirana po mbytet nga plehrat, qytetarët paguajnë taksa për pastrimin
Xhixho: “Arsimi në emergjencë kombëtare, Shqipëria e fundit për shpenzimet në arsim”





