Një konflikt i dyshuar me persona të armatosur ka alarmuar Policinë në Vlorë paraditen e sotme. Ngjarja është raportuar rreth orës 11:30, kur pronari i një resorti ka njoftuar uniformat blu se po konfliktohej me disa persona të armatosur.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt adresës së dhënë dhe kanë ngritur pika kontrolli në zona të ndryshme.
Gjatë kontrolleve, pranë Pusit të Mezinit, efektivët kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi. Policia është vënë në ndjekje të mjetit, ndërsa drejtuesi ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar.
Në automjet janë gjetur 3 persona. Dy prej tyre kanë mbetur të dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa personi i tretë nuk ka pasur probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit të automjetit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pistoletë.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me efektivë të disa drejtorive të tjera vendore të Policisë, po vijojnë kontrollet në terren për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë.
Policia njofton se hetimet janë në vijim dhe, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, pritet të ketë një informacion më të plotë mbi rrethanat e ngjarjes.
Lexo edhe:
AKSIDENTET RRUGORE NË KORRIK/ Bilanc lufte, 13 viktima dhe 222 të plagosur në rrugët e vendit






