Deputeti i Partisë së Lirisë, Lefter Maliqi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ngre akuza dhe pikëpyetje lidhur me hetimet për projektin e ujësjellësit të Sinecit në Kuçovë.
Maliqi i drejtohet SPAK-ut me pyetjet se përse, sipas tij, hetimet po zvarriten dhe nëse disa prej çështjeve po mbyllen. Ai pretendon se për projektin janë shpenzuar 4.3 milionë euro, ndërsa ngre shqetësime për lejet mjedisore, statusin e zonës dhe përdorimin e fondeve publike.
Në reagimin e tij, Maliqi akuzon kryetarin e Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, dhe biznesmenin Samir Salillari për abuzime, duke kërkuar që institucionet e drejtësisë të sqarojnë përgjegjësitë për projektin.
Ai ngre gjithashtu pyetje për vendimin e SPAK-ut për delegimin e çështjes në Prokurorinë e Beratit dhe kërkon transparencë mbi arsyet e këtij vendimi.
“Pse SPAK e delegoi çështjen në Prokurorinë e Beratit? Kush ndërhyri dhe si ndërhyri?”, shkruan Maliqi, duke pretenduar se hetimet kanë zgjatur prej më shumë se tre vitesh.
Deputeti i PL-së akuzon gjithashtu policinë për dhunë ndaj banorëve gjatë protestave kundër projektit dhe kërkon që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Në fund të reagimit, Maliqi deklaron se beson se çështjet e denoncuara prej tij do të hetohen dhe se pasuritë e përfshira në abuzime, sipas tij, duhet t’i nënshtrohen sekuestrimit nëse provohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Akuzat e bëra nga Lefter Maliqi janë pretendime të tij dhe mbeten për t’u verifikuar nga institucionet kompetente.
Lexo edhe:
Lefter Maliqi: Hajduti dhe abuzuesi nuk fiton, duroni dhe do të bindeni
Zgjedhjet vendore 2027/ Lefter Maliqi: Objektivi ynë, rikthimi i PD në Bashkinë e Kuçovës





