Biznesmeni Ilir Shtufi është arrestuar në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit të SPAK kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Burime bëjnë me dije se arrestimi i tij është kryer nga autoritetet greke pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Shtufi konsiderohet një nga personat kyç të hetimit, ku dyshohet se ka qenë i përfshirë në skema të pastrimit të parave përmes sektorit të ndërtimit. Emri i tij përmendet në dosjen hetimore të SPAK, ku evidentohet edhe lidhja me Luciano (Artur) Koçekun, i dyshuar për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike.
Mësohet se ndaj Shtufit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa autoritetet shqiptare pritet të nisin procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Operacioni i SPAK ka goditur një grup të dyshuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, duke çuar në lëshimin e dhjetëra masave të sigurisë.






