Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e kësaj të hëne në rrjetet sociale, duke publikuar një video nga Liqeni i Shkodrës dhe duke ndarë me ndjekësit një lajm që e cilësoi si shumë të rëndësishëm për trashëgiminë natyrore të vendit.
Në mesazhin e tij, Rama njofton se Liqeni i Shkodrës është përfshirë nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës.
“MIRËMËNGJES 😊 dhe me kënaqësinë e një tjetër lajmi të bukur për Shqipërinë e Gjelbër dhe trashëgiminë tonë natyrore, futjen e Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës, rezultat i punës sonë diplomatike po edhe i kujdesit me përgjegjësi për këtë pasuri shqiptare që i shtohet thesareve të botës së mbrojtur nga UNESCO, ju uroj një javë të mbarë 🌿”, shkruan Rama.
Kryeministri e cilësoi këtë arritje si një vlerësim ndërkombëtar për pasuritë natyrore të Shqipërisë dhe përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se Liqeni i Shkodrës i shtohet listës së thesareve natyrore të mbrojtura në nivel global.





