Në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ngriti shqetësime për funksionimin e Kuvendit dhe rolin e opozitës në ushtrimin e kontrollit parlamentar.
Bardhi tha se integrimi europian i Shqipërisë nuk duhet të jetë vetëm përafrim i legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, por një proces që duhet të sjellë edhe transformimin e institucioneve demokratike.“Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht vendi ku votohet legjislacioni i përafruar me Bashkimin Europian. Parlamenti duhet të jetë institucioni që garanton se këto ligje zbatohen, se qeveria kontrollohet dhe se reformat europiane janë gjithëpërfshirëse dhe nuk mbeten vetëm në letër”, deklaroi Bardhi.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, gjatë vitit të parë të kësaj legjislature opozita ka paraqitur 7 kërkesa për interpelanca ose llogaridhënie ndaj kryeministrit, të cilat, sipas tij, nuk janë pranuar.
Bardhi pretendoi se kjo situatë ka kufizuar mundësinë e opozitës për të ushtruar funksionin e kontrollit ndaj ekzekutivit.
“Edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë i jep pakicës parlamentare të drejtën të kontrollojë qeverinë, në realitet kjo e drejtë mohohet”, tha ai.
Një tjetër çështje e ngritur nga Bardhi ishte ajo e komisioneve hetimore parlamentare.
Ai deklaroi se opozita ka paraqitur gjashtë kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore gjatë kësaj legjislature, por sipas tij asnjëra nuk është pranuar nga mazhoranca.
Bardhi iu referua edhe një çështjeje të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje.
Sipas tij, opozita e ka fituar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, por vendimi ende nuk është zbatuar nga Kuvendi.
Bardhi ngriti akuza edhe për mënyrën se si mazhoranca po trajton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ai përmendi si shembull edhe debatin e fundit për statusin e magjistratëve, duke pretenduar se shumica parlamentare ka miratuar sërish një ligj pavarësisht vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Bardhit, kjo tregon se “vullneti politik” i shumicës po vendoset mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Këto janë qëndrime dhe akuza të artikuluara nga kreu i grupit parlamentar të PD-së gjatë mbledhjes.
Duke iu referuar procesit të anëtarësimit në BE, Bardhi ngriti pyetjen nëse integrimi europian mund të ecë paralelisht me një Parlament që, sipas tij, nuk garanton kontrollin e mjaftueshëm mbi ekzekutivin.
“Shqipëria nuk do të bëhet europiane vetëm duke miratuar ligje me emra europianë. Shqipëria bëhet europiane kur institucionet funksionojnë sipas standardeve europiane”, u shpreh ai.
Bardhi kërkoi më shumë hapësirë për opozitën në ushtrimin e mandatit kushtetues, si dhe përfshirje më të madhe të shoqërisë civile, ekspertëve dhe grupeve të interesit në proceset reformuese.
Në rezolutën e miratuar në qershor 2026 mbi raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, Parlamenti Europian shprehu shqetësim për polarizimin politik dhe për ndikimin e tij në mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Eurodeputetët kërkuan gjithashtu forcim të kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin, transparencë më të madhe në procedurat legjislative dhe konsultim më kuptimplotë me shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura.
Në këtë kontekst, Bardhi tha se integrimi europian duhet të përkthehet në ndryshime konkrete në funksionimin e institucioneve shqiptare.
“Integrimi europian kërkon kontroll dhe balancë, jo vetëm shumicë votash”, deklaroi ai, duke shtuar se objektivi nuk duhet të jetë vetëm mbyllja e kapitujve të negociatave, por krijimi i institucioneve më të forta dhe një Parlamenti më të fuqishëm.
Lexo edhe:
“Proces tallës me shqiptarët”/ Bardhi kërkon heqjen e Reformës Territoriale nga kalendari






