Është zbardhur letra e kryeministrit Edi Rama drejtuar institucioneve të drejtësisë lidhur me çështjen e pagave të magjistratëve.
Sipas ftesës së bërë publike, Rama ka thirrur magjistratët në një takim që do të zhvillohet më 28 shtator, në orën 12:30, në godinën e Kryeministrisë.
Në fokus të takimit do të jetë diskutimi për një skemë të re të pagave, me kryeministrin që kërkon të konsultohet me institucionet e drejtësisë për mënyrën se si duhet të përcaktohen dhe rishikohen pagat.
Rama: Të përcaktojmë parimet dhe kriteret
Në letrën e tij, Rama shprehet se diskutimi do të përqendrohet te identifikimi i parimeve, kritereve dhe instrumenteve që do të udhëheqin metodën e përcaktimit të pagave.
Sipas tij, skema duhet të marrë në konsideratë disa elementë, mes tyre qëndrueshmërinë buxhetore, koherencën ndërinstitucionale dhe proporcionalitetin mes funksioneve dhe përgjegjësive.
“Diskutimi do të përqendrohet në identifikimin e parimeve, kritereve dhe instrumenteve që duhet të udhëheqin metodën e pagave, duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë buxhetore, koherencën ndërinstitucionale, proporcionalitetin ndërmjet funksioneve dhe përgjegjësive”, thuhet në letër.
Synohet një mekanizëm i ri pagash
Në dokument, kryeministri thekson se përmes procesit të konsultimit synohet krijimi i një qasjeje të përbashkët institucionale për mekanizmin e pagave.
Sipas Ramës, ky mekanizëm duhet të kontribuojë në pavarësinë, integritetin dhe profesionalizimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa përcaktimi dhe rishikimi i pagave duhet të mbështetet në rregulla të qarta dhe objektive.
“Nëpërmjet këtij procesi konsultimi synohet të arrihet një qasje e përbashkët institucionale për një mekanizëm pagash që kontribuon në konsolidimin e pavarësisë, integritetin dhe profesionalizimin e sistemit të drejtësisë, duke siguruar rregulla të qarta dhe objektive për përcaktimin dhe rishikimin periodik të tyre”, thuhet më tej në letër.
Takimi i 28 shtatorit pritet të sjellë në një tryezë institucionet e drejtësisë dhe përfaqësuesit e magjistratëve për të diskutuar mbi mënyrën e re të përcaktimit të pagave dhe parimet që do të shoqërojnë këtë mekanizëm.
Çështja e pagave të magjistratëve ka qenë në qendër të debateve institucionale gjatë muajve të fundit, ndërsa ndryshimet në këtë fushë lidhen drejtpërdrejt me statusin dhe garancitë e funksionarëve të sistemit të drejtësisë.

Lexo edhe:
Rama i shtrin dorën gjyqësorit për pagat: “Të ulemi në tryezë dhe të gjejmë një zgjidhje afatgjatë”






