Trafiku ajror në Belgjikë do të ndalet të martën nga ora 12:00 deri në 19:00, pas një greve të paparalajmëruar të kontrollorëve të trafikut ajror, ka bërë të ditur aeroporti i Brukselit.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha linjat ajrore do të detyrohen të anulojnë fluturimet e planifikuara gjatë këtij intervali, duke shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në qarkullimin ajror.
Aeroporti i Brukselit njoftoi se situata pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te pasagjerët, ndërsa kompanitë ajrore janë duke riorganizuar itineraret e tyre.
Kjo nuk është hera e parë që aviacioni belg përballet me ndërprerje të tilla. Më herët, një grevë e përgjithshme më 12 mars kishte paralizuar fluturimet dhe kishte prekur rreth 95,000 udhëtarë, me humbje të vlerësuara në 9–12 milionë euro.
Autoritetet paralajmërojnë se pasojat e grevës së sotme mund të shtrihen edhe përtej orarit zyrtar të ndërprerjes, për shkak të vonesave dhe riplanifikimeve të fluturimeve.






