Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së kryesisë se Kuvendi Kombëtar do të sanksionojë bazat e transformimit të vërtetë të PD-së, me synim rikthimin e votës së lirë dhe ardhjen e opozitës në pushtet.
Berisha theksoi se Partia Demokratike duhet të kalojë në një fazë të re organizimi, modernizimi dhe ripërtëritjeje, duke u fokusuar te seksioni si baza kryesore e partisë.
“PD do të arrijë atë transformim të domosdoshëm për të përmbushur një mision historik të saj, dhe misioni historik i PD është rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i PD në pushtet”, u shpreh ai.
Sipas liderit demokrat, ripërtëritja e partisë nënkupton hapjen ndaj anëtarësimeve të reja dhe eliminimin e çdo pengese që frenon prurjet e reja në strukturat e PD-së.
“Ne jemi parti e territorit, pra ne jemi parti e seksionit. Dhe përparësi absolute në piramidën e saj merr themeli, i cili është seksioni”, deklaroi Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha sulmoi edhe kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për lidhje me krimin dhe standarde të dyfishta në raport me integrimin europian.
Ai komentoi dekorimin e Bardhyl Agasit dhe Jurgis Çyrbes, duke deklaruar se Rama “paradite dekoron babanë e mafiozit dhe pasdite në Bruksel flet për fanatizëm ndaj BE-së”.
“Në momentin kur ai dje fliste në Bruksel, sekretari i tij i përgjithshëm me porosi të tij i dërgonte dekoratën e partisë Jurgis Çyrbes, informatorit të një vrasësi serial”, tha Berisha.
Kryedemokrati deklaroi gjithashtu se opozita e ka kthyer çështjen e votës së lirë në një çështje ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi se largimi i Ramës mund të vijë vetëm nga vetë shqiptarët.
“Nëse ne themi se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, askush nuk do vijë të na e heqë ne Edi Ramën, përveçse ne vetë”, u shpreh ai.
Berisha hodhi akuza të forta edhe ndaj mediave, të cilat i cilësoi si “mafia e fjalës së lirë”, duke pretenduar se shumica e tyre kontrollohen nga qeveria dhe mbajnë qëndrim armiqësor ndaj opozitës.
“Kjo mafie është shndërruar në zëdhënësen më agresive të mafies shtetërore. Kjo mafie de facto i ka shpallur luftë opozitës”, deklaroi kreu i PD-së.
Në fund të fjalës së tij, Berisha tha se pavarësisht vështirësive dhe mbështetjes ndërkombëtare që sipas tij i jepet Ramës për arsye gjeopolitike, opozita do të vazhdojë betejën për realizimin e objektivave të saj politike.






