Sa punojnë shqiptarët? Raporti i OECD: Produktiviteti i bizneseve shqiptare sa 29% e mesatares së BE-së

OECD vlerëson se bizneset shqiptare kanë ende një rrugë të gjatë për t’u afruar me standardet e Bashkimi Europian për sa i përket produktivitetit.

Sipas një studimi të organizatës, produktiviteti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në Shqipëri arrin vetëm në 29% të mesatares së BE-së, bazuar në të dhënat e vitit 2023.

Nga krahasimet e OECD-së rezulton se një punonjës në një NVM shqiptare prodhon mesatarisht 14,924 euro në vit, ndërsa në ndërmarrjet e mëdha kjo shifër arrin në 19,645 euro.

Në vendet e BE-së, një punonjës në NVM gjeneron mesatarisht rreth 52 mijë euro në vit, ndërsa në bizneset e mëdha rreth 87 mijë euro për person.

Sipas raportit, produktiviteti i ndërmarrjeve të mëdha në Shqipëri është vetëm 22.6% e mesatares së ndërmarrjeve të mëdha në BE, duke e renditur vendin në fund të rajonit.

Në Ballkanin Perëndimor, Serbia kryeson me 31.4 mijë euro produktivitet për punonjës në ndërmarrjet e mëdha, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 27 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut me 21.6 mijë euro.

OECD thekson se, megjithëse Shqipëria ka regjistruar rritje reale të produktivitetit, ritmi aktual mbetet i pamjaftueshëm për të ngushtuar shpejt hendekun me BE-në.

Raporti paralajmëron gjithashtu se asnjë ekonomi e Ballkanit Perëndimor nuk pritet të arrijë nivelin aktual të të ardhurave për frymë të BE-së gjatë katër dekadave të ardhshme.

Për Shqipërinë, sfida kryesore mbetet rritja e vlerës së shtuar në prodhim dhe shërbime, duke balancuar rritjen e pagave me produktivitetin, në mënyrë që të ruhet konkurrueshmëria në tregjet ndërkombëtare.

Një tjetër shqetësim madhor lidhet me zhvillimet demografike. Sipas OECD-së, popullsia në moshë pune në Shqipëri ka rënë me 18% që nga viti 2011, kryesisht për shkak të emigracionit të profesionistëve të kualifikuar në fusha si teknologjia, inxhinieria dhe shkencat e aplikuara.

Kjo tkurrje e forcës së punës po ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e ndërmarrjeve për të përthithur teknologji të reja dhe për të konkurruar në treg.

Raporti evidenton gjithashtu mospërputhjen mes sistemit arsimor dhe kërkesave reale të tregut të punës, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë gjetjen e stafit të kualifikuar, sidomos për bizneset e vogla.

Përveç mungesës së fuqisë punëtore, NVM-të në Shqipëri përballen edhe me vështirësi në aksesin në financa. Bankat kërkojnë nivele më të larta kolaterali për bizneset e vogla, për shkak të riskut të perceptuar më të lartë.

Ndërkohë, Kosova vlerësohet si vendi me kornizën më të zhvilluar të garancisë kreditore në rajon, ndërsa në Shqipëri dhe vendet e tjera instrumentet alternative financiare mbeten ende të kufizuara.

OECD paralajmëron se mungesa e likuiditetit dhe e financimit po vjen në një moment kritik, kur bizneset duhet të investojnë në tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital për t’u integruar në BE, procese që kërkojnë kapital të konsiderueshëm dhe fuqi punëtore të specializuar.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version