ODIHR ka zbardhur opinionin urgjent të ndërmjetëm për projektligjin mbi financimin e partive politike në Shqipëri.
Në vlerësimin e tij, ODIHR e konsideron pozitiv përpjekjen për krijimin e një kuadri më të plotë dhe modern për financimin politik, duke përfshirë rregullat mbi transparencën, raportimin financiar, auditimin dhe mbikëqyrjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Megjithatë, opinioni ngre shqetësime për disa mangësi të projektligjit, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen ndaj financimeve indirekte dhe fenomenit të “donatorëve fiktivë”, ku persona të ndryshëm kryejnë donacione në emër të të tjerëve për të shmangur kufijtë ligjorë të financimit.
Sipas ODIHR-it, nevojiten mekanizma më të fortë kontrolli dhe verifikimi për të parandaluar shmangien e rregullave dhe për të garantuar integritetin e financimit politik.
Opinioni urgjent ishte kërkuar në fillim të muajit prill nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore.






