Një tjetër denoncim është bërë publik ndaj kirurgut 72-vjeçar Nikoll Nunka, i arrestuar pas akuzave për ngacmim seksual ndaj një 21-vjeçareje në Korçë.
E reja ishte paraqitur në spital me dhimbje të forta barku dhe të vjella, ndërsa pas kontrolleve mjekësore ishte vendosur që t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje për apandesit. Sipas kallëzimit, gjatë ekzaminimeve mjekësore, kirurgu dyshohet se ka kryer prekje në pjesët intime të pacientes, duke pretenduar se po realizonte kontrolle mjekësore.
Pas denoncimit, policia arrestoi mjekun 72-vjeçar, ndërsa 21-vjeçarja vijon të marrë trajtim në spitalin e Korçës.
Ndërkohë, pas publikimit të rastit, një tjetër qytetare ka bërë një denoncim publik ndaj të njëjtit mjek, duke pretenduar se edhe ajo është përballur me sjellje të papërshtatshme gjatë një vizite mjekësore rreth një vit më parë.
Sipas saj, ajo ishte paraqitur në urgjencën e Korçës me dhimbje barku dhe pas analizave e ekografisë, që kishin rezultuar normale, mjeku i kishte kërkuar të operohej urgjentisht për apandesit.
“Vizitat e shpeshta dhe insistimi për të më futur në sallë më bënë të ndihesha shumë keq. Në fund, një doktoreshë i tha shoqes sime se nuk kisha asgjë dhe më këshilloi të largohesha”, shprehet qytetarja në denoncimin e saj.
Ajo ka ngritur pretendime edhe për një episod që lidhet me djalin e saj 15-vjeçar, për të cilin thotë se gjatë kontrollit mjekësor kirurgu kishte përdorur sjellje dhe gjuhë të papërshtatshme.
Autoritetet pritet të verifikojnë pretendimet e reja, ndërsa hetimet ndaj mjekut vijojnë.






