Apeli liron 5 protestues të opozitës, Noka akuzon qeverinë për “burgosje politike”

Gjykata e Apelit ka vendosur lirimin e 5 protestuesve të opozitës, të cilët kishin qëndruar në paraburgim pas arrestimeve të bëra gjatë protestave të fundit.

Pas vendimit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, reagoi ashpër për mediat, duke e cilësuar ndalimin e tyre si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.

Sipas Nokës, 25 ditët e qëndrimit në burg të protestuesve “u janë borxh” kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të përfshirë në proces, përfshirë edhe Skënder Hita, të cilin ai e akuzoi për presion ndaj institucioneve.

Ai deklaroi se protesta e opozitës mbetet paqësore dhe do të vijojë deri në atë që e quajti “çrrënjosje e narkoregjimit” dhe hapjen e një zgjidhjeje politike për vendin.

Në deklaratën e tij, Noka shtoi se opozita po mban shënim çdo veprim të institucioneve që, sipas tij, kanë ndikuar në arrestimet dhe mbajtjen në burg të protestuesve, duke paralajmëruar përgjegjësi politike për këtë situatë.

Reagimi i tij vjen pas një vendimi të Apelit që ndryshoi masën e sigurisë për protestuesit nga “arrest me burg” në masa më të lehta procedurale.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version