Kreu i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, deklaroi këtë të martë se aksi Librazhd–Prrenjas është hapur pas marrjes së të gjitha masave të nevojshme për garantimin e qarkullimit të sigurt.
Sipas tij, ndërhyrja është realizuar në kohën më të shpejtë të mundshme, ndërsa janë kryer testime në terren, përfshirë edhe me mjete të rënda dhe pajisje laboratorike, pa evidentuar probleme shqetësuese në qëndrueshmërinë e rrugës.
“Rruga është hapur me kushtet optimale, aq sa na lejuan rrethanat. Janë bërë testime dhe nuk ka asnjë shfaqje që të na shqetësojë. Brenda 10 ditësh është kryer një punë e madhe”, u shpreh Kozeli, duke falënderuar ekipet në terren për punën e realizuar.
Megjithëse trafiku është hapur për të gjitha kategoritë e mjeteve, kreu i ARRSH-së u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë të respektojnë kufijtë e peshës në këtë aks.
Ai theksoi se mbingarkesa mund të krijojë dëmtime në trupin e rrugës, si gropa apo deformime që vështirësojnë qarkullimin, ndërsa kontrollet do të kryhen nga policia rrugore.
Kozeli paralajmëroi se pas stabilizimit të plotë të situatës, do të zhvillohet një analizë me institucionet përkatëse për të adresuar problematika të ngjashme në të ardhmen dhe për të përmirësuar reagimin në raste emergjente.
Hapja e këtij aksi konsiderohet një lehtësim i rëndësishëm për qarkullimin në zonë, pas ndërhyrjeve të realizuara në ditët e fundit.






