Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi sot në foltoren e Kamzës se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po rrezikohet, për shkak të dosjeve Balluku dhe AKSHI, të cilat sipas tij, kanë nxjerrë në pah “grabitje spektakolare të parave të qytetarëve”.
Berisha tha se kryeministri Edi Rama ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit takime të forta në Bruksel, për të diskutuar situatën, ndërsa sipas tij qëllimi i Ramës është të bllokojë drejtësinë dhe të kontrollojë çdo hap të procesit të shtetit, duke manipuluar institucionet dhe penguar mekanizmat e drejtësisë.
“Rama ishte i gatshëm, këto 3-4 ditë ka pasur mbledhje shumë të rënda në Bruksel, me variante nga më ndëshkueset. Dhe që të ç’bëhet i gjithë procesi i integrimit, të ktheheshim te marrëdhënia tregtare e vitit 1992… Sepse ka vjedhur dhe kërkon me çdo kusht të bllokojë drejtësinë. Kjo është situata ku ndodhemi,” – u shpreh Berisha.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur shqetësimet për integrimin e Shqipërisë janë rritur në Bruksel, ndërsa opozita kërkon përgjegjësi për abuzimet e supozuara në nivele të larta të qeverisë.






