Mazhoranca socialiste në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale ka paralajmëruar se do t’i drejtohet zyrtarisht Kuvendit për ndryshimin e përbërjes së komisionit, pas bojkotit të vazhdueshëm të opozitës.
Edhe pse opozitës iu la afat deri ditën e sotme për t’u rikthyer në punimet e komisionit, anëtarët demokratë nuk u paraqitën në mbledhje. Përballë kësaj situate, kryetari i Komisionit, Arbjan Mazniku, deklaroi se mazhoranca do të ndërmarrë hapa konkretë për të zhbllokuar procesin.
“Ne do t’i drejtohemi seancës plenare për të ndryshuar përbërjen e komisionit, në mënyrë që t’i hapim rrugë punimeve me shpejtësi dhe të rikuperojmë kohën e humbur”, u shpreh Mazniku.
Socialistët kishin paralajmëruar edhe më herët se nuk do të presin pafundësisht opozitën, duke e akuzuar për mungesë të qëllimshme në mbledhje dhe për bllokim të procesit të Reformës Territoriale.
Sipas kërkesës së depozituar, Partia Socialiste synon të marrë shumicën e anëtarëve në Komision, si edhe drejtimin e tij. PS kërkon gjithashtu shtimin e një anëtari nga radhët e saj, duke konsoliduar kontrollin mbi vendimmarrjen.
Po ashtu, mazhoranca kërkon heqjen e modelit të bashkëdrejtimit. Sipas propozimit, Arbjan Mazniku do të jetë drejtues i vetëm i Komisionit, ndërsa Luçiano Boçi do të mbajë postin e nënkryetarit, duke humbur statusin e bashkëkryetarit.
Ky zhvillim pritet të ashpërsojë më tej përplasjen politike mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa Reforma Territoriale rrezikon të ecë përpara pa konsensus politik.






