Detaje të reja nga sulmi kibernetik ndaj SPAK: Identifikohen personat kyç (EMRAT)

Hakerimi i sistemit elektronik të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po nxjerr në dritë detaje të reja, të cilat tregojnë se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, por për një sulm të mirëkoordinuar. Sipas hetimeve të thelluara, pas këtij sulmi qëndronte një rrjet i strukturuar, me qëllim shpërndarjen e materialeve sensitive.

Në qendër të këtij rrjeti, hetuesit kanë identifikuar tre persona kryesorë: ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili, si edhe Zambak Gjonin dhe Arnold Rrokajn.

Sipas dosjes hetimore, kjo strukturë administronte një grup komunikimi në aplikacionin WhatsApp, ku materialet e rrjedhura nga SPAK shpërndaheshin në mënyrë të qëllimshme dhe strategjike drejt mediave, me synimin për të ndikuar në opinionin publik dhe dëmtuar imazhin e individëve të caktuar.

Mediat raportojnë se BalkanWeb ka siguruar listën e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë që rezultojnë të kenë qenë pjesë e këtij grupi komunikimi. Elementi i përbashkët për një pjesë të konsiderueshme të tyre lidhet me njohjen ose marrëdhëniet e mëparshme me Agim Ismailin.

Sipas burimeve, në grupin e identifikuar kanë qenë të përfshirë:

Sokol Ngresi, anëtar i Gjykatës së Lartë nga Vlora, mik prej vitesh me Agim Ismailin.

Anton Martini, drejtor i Hetimit Tatimor, nga e njëjta zonë me Ismailin.

Dritan Palnikaj, sekretar i Përgjithshëm në MBU, nip i Agim Ismailit.

Ermal Kënaçi, shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, ish-shef sektori në SHKKB, i shkarkuar nga detyra.

Melsi Beli, punonjës në AKSHI, ish-vartës i Agim Ismailit në Drejtorinë e Burgjeve, i larguar nga detyra.

Blerina Hoxha, punonjëse në AKSH, e lidhur me Melsi Belin.

Jonida Baçi, ish-drejtoreshë e ATP, e shkarkuar nga detyra, me lidhje miqësore me Agim Ismailin.

Ylli Gaxholli, ish-punonjës i ATP, i shkarkuar, me lidhje të vjetra me Agim Ismailin dhe Jonida Baçin.

Maltin Malaj, ish-drejtor në DPB për prokurimet, në periudhën kur drejtor ishte Admir Abrri.

Hetimet për hakerimin e SPAK vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rolet individuale, mënyrën e rrjedhjes së informacionit dhe ndikimin e këtij rrjeti në proceset hetimore dhe mediatike.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version