6.2 ton mish pule me salmonelë: çfarë ndodhi para se të kthehej në sallam, AKU hesht

Autoritetet italiane kanë dhënë alarmin për prezencën e “Salmonella infantis” në mish pule me origjinë nga Rumania, pas kontrolleve të kryera në vendin fqinj. Ky mish, i importuar edhe në Shqipëri, ka kaluar për përpunim në një fabrikë sallami, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi zinxhirin e sigurisë ushqimore.

Pas një kërkese për informacion nga “Ora News”, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) konfirmon se sasia e mishit të pulës të importuar në Shqipëri ishte 6,257 kilogramë. Sipas AKU-së, ky mish është futur në trajtim termik dhe prej tij janë prodhuar kremviçe pule, sallam popullor, sallam popullor pikant dhe sallam i tymosur.

Fabrika e përpunimit e ka shpërndarë produktin përfundimtar në 17 qytete të vendit, ndërsa pas njoftimit të ardhur nga Italia, mostrat janë analizuar në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV). Sipas AKU-së, të gjitha produktet përfundimtare kanë rezultuar konform, pa gjurmë të “Salmonella infantis”.

Megjithatë, këtu nis kontradikta zyrtare. Në njoftimin publik, AKU deklaron se pas kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë ka bllokuar sasinë gjendje të lëndës së parë, pra mishin e pulës që ende nuk ishte futur në përpunim. Por në përgjigjen zyrtare për “Ora News”, i njëjti institucion pranon se nga 6,257 kg mish pule nuk është bllokuar asnjë gram, pasi i gjithë produkti kishte kaluar në prodhim.

Dy deklarata, dy realitete të ndryshme. Cilit version duhet t’i besojë konsumatori? Atij që flet për bllokim të lëndës së parë, apo atij që pranon se gjithçka është përpunuar dhe hedhur në treg?

Një tjetër shqetësim lidhet me faktin se AKU nuk kryen analiza për çdo sasi mishi të importuar, duke lënë hapësirë për hyrjen në treg të produkteve që mund të mos plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore. Rasti i mishit të pulës nga Rumania shton dyshimet dhe ngre pyetje të forta mbi efektivitetin e kontrolleve dhe transparencën institucionale.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version