Irena Gjoka e fshehu dënimin jashtë vendit, PD kërkon veprim të menjëhershëm të SPAK

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar përfundimin pa vonesa të hetimit ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, pas konfirmimit nga Prokuroria e Përgjithshme se ajo rezulton e dënuar në Greqi dhe se këtë fakt e ka fshehur në formularët e vetëdeklarimit.

Sipas opozitës, zvarritja e hetimit po cenon rëndë parimin e barazisë para ligjit, integritetin e sistemit të drejtësisë dhe interesat financiare të shtetit shqiptar.

Në një shkresë të firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, opozita thekson se gjyqtarja Gjoka ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, duke cënuar Kushtetutën dhe ligjet për statusin e gjyqtarit. Sipas Bardhit, falsifikimi i dokumenteve dhe mosdeklarimi i vendimeve të dënimit në formularët e vetëdeklarimit përbën një vepër penale të përsëritur.

Deputetët e opozitës shprehin shqetësim të thellë për mosveprimin në kohë të Prokurorisë së Posaçme, që sipas tyre mund të ketë pasoja të rënda për funksionimin e sistemit gjyqësor dhe për besimin e publikut.

“Cenimi i parimit të ‘gjykatës së caktuar me ligj’ mund të ndikojë në çdo vendimmarrje të saj si gjyqtare në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ky rast krijon pasiguri mbi vendimmarrjet e sistemit gjyqësor dhe cenon integritetin e tij”, thuhet në shkresën e opozitës.

Në përfundim, opozita kërkon nga Prokuroria e Posaçme që të veprojë pa vonesa, në përputhje me parimin e barazisë përpara ligjit, duke shmangur çdo vonesë që mund të sjellë pasoja për interesin publik, sistemin e drejtësisë dhe financat e shtetit.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version