IGJEO ka ngritur alarmin për rrezik përmbytjesh dhe rrëshqitjesh dherash në disa qarqe të vendit, për shkak të reshjeve intensive dhe motit të paqëndrueshëm që ka përfshirë Shqipërinë gjatë kësaj fundjave.

Sipas institutit, reshje mesatare deri intensive janë regjistruar në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tirana dhe Elbasan.

Reklame

Në disa zona, reshjet janë shoqëruar me shtrëngata dhe rrufe, duke shtuar rrezikun për probleme në zonat urbane dhe akumulim uji në rrugë.

IGJEO paralajmëron se intensiteti i lartë i reshjeve mund të sjellë vërshime uji dhe përmbytje të lokalizuara, kryesisht në qarqet Durrës, Shkodër dhe Lezhë, ku situata konsiderohet më problematike edhe për shkak të sistemit të kanalizimeve.

Sipas parashikimeve, era e fortë do të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim të së shtunës dhe gjatë natës, veçanërisht në zonat bregdetare dhe ato të ulëta të vendit.

Ndërkohë, të dielën pritet një përmirësim gradual i motit, me dobësim të erës dhe më pak reshje në të gjithë territorin.

Instituti bën me dije se temperaturat maksimale të dielën do të arrijnë deri në 20 gradë Celsius në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore temperaturat minimale do të zbresin deri në 6 gradë Celsius.

Reklame