Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro mbi llogaritë bankare të disa kompanive të ndërtimit, në kuadër të një hetimi që synon verifikimin e burimit të të ardhurave të tyre.

Sipas vendimit që u bë me kërkesë të prokurorit Ndini Tavani, janë sekuestruar llogaritë bankare të kompanive “Olt Flor” dhe “Olti Grup”, si dhe të shoqërive “Albavia” dhe “Standard”, kompania “Alaska”, “Kukës Chrome Minerals” si dhe “Troci 2005”.

Reklame

Sipas burimeve zyrtare, autoritetet dyshojnë se fondet e këtyre subjekteve nuk përputhen me aktivitetin e tyre ekonomik, çka ka sjellë ndërhyrjen për bllokimin e llogarive bankare deri në përfundim të hetimeve.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën e saktë të parave dhe për të verifikuar nëse ka elementë të veprave penale, përfshirë pastrimin e parave apo shkelje të tjera ligjore në sektorin e ndërtimit.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se kjo lëvizje është pjesë e një aksioni më të gjerë në kuadër të goditjes së informalitetit dhe pastrimit të parave në industrinë e ndërtimit, një nga sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë në vend.

Reklame