Një pamje e pazakontë na tërhoqi vëmendjen në plazhin e Hamallajt, në zonën e Vala Mar. Ajo që duhej të ishte një hapësirë publike dhe e lirë për pushuesit, rezultoi të ishte një plazh ku shezlongët ishin… të lidhur me zinxhirë dhe të mbyllur me dry.
Në videon që kemi realizuar shihet qartë se të gjithë shezlongët e vendosur në pjesën publike të plazhit janë të siguruar me zinxhirë biçikletash. Sipas administratorëve të kompleksit, këta shezlongë ofrohen pa pagesë për pushuesit, por për të mos u dëmtuar apo vjedhur, ata janë detyruar t’i kyçin.
Vetëm pak metra më tej ndodhet plazhi privat. Atje shezlongët janë të vendosur normalisht, gati për përdorim nga klientët që paguajnë shërbimin dhe askush nuk i lëviz apo i dëmton.
Paradoksi qëndron pikërisht këtu. Në hapësirën private, pajisjet ruhen pa pasur nevojë për zinxhirë, ndërsa në plazhin publik administratori ka zgjedhur t’i lidhë me dry për të shmangur dëmtimet ose zhdukjen e tyre.
Kjo situatë ngre një pyetje që shkon përtej këtij plazhi: Pse e kemi kaq të vështirë të kujdesemi për atë që është publike?
Shpesh duket sikur, në momentin që një objekt konsiderohet pronë e përbashkët, ai pushon së qeni përgjegjësi e secilit prej nesh. Dëmtimi, marrja pa leje apo shkatërrimi i pajisjeve publike është një fenomen që haset jo vetëm në plazhe, por edhe në parqe, kënde lojërash dhe hapësira të tjera të përbashkëta.
Pamja e një plazhi me shezlongë të lidhur me zinxhirë është e pazakontë dhe, në një farë mënyre, simbolizon mungesën e besimit se pajisjet publike mund të ruhen pa masa ekstreme sigurie.
Ndoshta nuk është zinxhiri problemi më i madh. Problemi është fakti që dikush ka menduar se ai ishte i domosdoshëm.
10 plazhet më të bukura për familje në Shqipëri














