Advertisement

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me grabitjen e ndodhur mesditën e kësaj të marte në një filial të OTP Bank Albania në Tiranë.

Sipas informacioneve paraprake, autori ka mbërritur pranë bankës me një skuter nga drejtimi i kryqëzimit të Komunës së Parisit. Pasi ka lënë mjetin jashtë ambienteve të bankës, ai ka hyrë menjëherë në filial dhe, nën kërcënimin e një sendi që dyshohet të ketë qenë armë, ka marrë një shumë parash.

Reklame

Pas kryerjes së grabitjes, i dyshuari është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, duke ndjekur itinerarin në drejtim të rrugës “Sulejman Delvina” dhe më pas zonës së ish-Bllokut.

Menjëherë pas sinjalizimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kontrollet në disa zona të kryeqytetit për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Hetuesit po administrojnë pamjet e kamerave të sigurisë së bankës dhe bizneseve përreth, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të dinamikës së grabitjes dhe identifikimin e autorit.

Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia ende nuk ka bërë publike shumën e parave që dyshohet se është marrë gjatë grabitjes.

Reklame